Asdreni: Mir’se-erdhe pranë Mêmës vajzë-e dëshëruar, plot mall o bijë e shumëvojtur Çamëri

PropellerAds

Shqipëria e Madhe, një poezi  e rrallë e Aleksandër Stavre Drenova, kushtuar Kosovës dhe Çamërisë, e botuar në vitin 1941

 

Shqipëria e madhe

Mir’ se-erdhe midis nesh e bukura Kosovë

Mir’ se-erdhe motër po të thom dhe përsëri,

Mbas vojtjesh dëshmorije gjatas që dhé provë

Të hysh përplot në gjinjt’ e Mêmës Shqipëri!

 

Me vrer në buzë prisnje gjejsh pak ndihmë-e dritë

T’a ngrehish vehten prej njëj Territ të pafund,

Në flija të pa numur dhënë dit’ për ditë

Të ngopet bisha sot përdhé pa shpirt q’u-mund!

 

Me vargje trupin lidhur, kombi mê gjakpirës

Pak frymë për të marrë vehten nuk të lij,

Të çorri faqe-e sy me thonjt’ e tija grirës;

Në drapër gjith po korrte pleq edhe të rij!

 

Dhe zêri t’ishte shuar, lotët syve tharë

Në fshamë-e mbytur dhe në vojtje pa mbarim,

Nër aqë vjetë s’pé një ditë pak të mbarë:

E çveshur edhe-e zbathur pa pik përdëllim.

 

Një copë truall nuk të linte për jetesë

As bukë për fëmijët s’kishe për ushqim,

Dëshirë-e tija: darë teje mos të mbesë

Në dhé të huaj larg të çporrte me qëllim!

 

Mundime tmerri që s’tregohen dot me fjalë

Grabitje me pahir të gjësë pa pushim,

Në trollin t’ênd ay të kishte si një halë

Çdo ças për ty s’mendonte veç se për shkatrim.

 

Sa burra nuk e derdhën gjakun kot-së-koti

Për një të drejtë shpirt që dhanë me një plumb,

Mëshirë s’gjenin as kur bijnin pikat loti:

Shtëpin’ e plêngun zjarri kur u-a bênte shkrumb!

 

Sa mêma nuk i qjajtin bijt’ e vet të vrarë

Fëmijë të pameshët që nuk ndjenin gjê;

Sa turpe s’panë, sytë që ‘u kishin parë:

Një shpirt njeriu për ‘të nuk vlente mê kurrgjê!…

 

Dhe tin’ e shtrenjta Çamëri si Trime e rrallët

Dikur të ngjallet Greku pate falur gjak,

Si mirënjohje flije prite plumb në ballët

Pa faj dhe miq dëshmorë ranë keq në lak.

 

Mir’ se-erdhe pranë Mêmës vajzë-e dëshëruar.

Plot mall o bijë-e shumëvojtur Çamëri

Në gjinjt’ e saj të ngrohtë drejt në kraharuar

Gjith po të priste pa durim me dhempshuri!

 

Dy bija të përmallshme, Gurë të paçmuar

Si dy Florinj të ndritshëm derdhur bukuri,

Në ball të Shqipërisë, Mêmës s’adhuruar

Si hyj po ndritni, ju, Kosovë-e Çamëri

 

Dy zotër të pashpirt me t’egër se dy bisha:

Më nj’anë Sërbi gjakatar që s’kishte shok

Ndaj anës tjetër Greku dhelpër dhe finok;

Dy faqezinj pa Perëndi me kryqe-e kisha!

 

Me shufra dhe shuplaka, grykës dhe tërkuza

Për ‘tâ ju s’ishit veç një farë bagëti,

Ata me tallje juve ju pëlciste buza

Po kthenje fjalën ca mê keq, si mjerë ti!

 

Por ora-e fundit ora-e tmerrët e shpërblesës

Çdo faj me të përdhunë bêrë që s’e fal

Pluhur dhe hî u-bënë shkelësit e Besës

Rrufé mërije Zoti rrymën që s’i-u ndal!

 

Dikur Dodona plakë parathoshte Fatin

Që çdo shpirt-lig e çojnë Hyjit drejt në Ferr;

Dhe sot po gjith ata mizorët me të ngratin

E marrin shpagën prej njëj Gjyqit që të therr!

 

Ju me vullnet të fratin t’uaj s’u-përkulët

Çdo sulm të bishës e përballtë me kuxim,

Se vetëm Kombet jetë-skllavë dhe shpirt-ulët,

Durojnë zgjedhën qafë, pa një murmurim.

 

Mbërdhé përfare ranë hékurat e rênda

Për jetë-u-shduk tirani që s’durohej dot,

Sot Flâmuri kuq-zi ndeh flatrat siç i kênda

Tek Shkabat kanë qênë-ato gjithmonë zot.

Sot Djell i ri ju ngrohu me rreze çlirimtare

Sot zgjedha-e rêndë-e robërisë morri fund,

Mëngjezi-i ndritshëm njëj prândvere shkëlqimtare

Mbi tokën t’uaj po përhapet me sa mund!

 

 

Sot nër qytetet dhe katundet gazi ndjehet

Vëllazërimi-i têrë Kombit plot haré,

Me këngë dhe premtime populli dëfrehet:

Fatlum për të se lindi jetë krejt e re!

 

Çdo vatër e Kosovës edhe-e Çamërisë,

Do të tërhidhet me vallzime të pafré,

Se Terri perëndoj, arth Drita e Lirisë

Mbi malet t’ona po shëndris një qjell pa ré.

 

Që tash, o-bûrra Djem, ju mbetet juve barra

T’i bêni ballë çdo rrezikut që ju del,

Të shohë vëndi-i ynë ditë mê të mbara

Me vrull t’a mproni kêmbë-e huaj kur e shkel!

 

Me krenari vashdoni-e trimërin’ e motme

Qysh nga të Parët mbetur trashëgim

Si shkëmb forcohuni ndaj kohëve të sotme

Mos merrni Fenë para sysh për një Bashkim.

 

U-plotësuan êndrrat t’ona kësaj radhe

Të bëhemi, me ndihmën e të Madhit Zot,

Një Komb i fortë ndë një Shqipëri të Madhe:

Që mundi-i aq Dëshmorëve mos vejë kot!

 

Fatosavet dhe Prijsavet u qofshim falë

Me ne, dy Kombe miq, që derdhën gjak bujar,

Nër luftra ngadhnimtare zot që kanë dalë:

Kosovë Nderi plot shkëlqim për çdo luftar.

ASDRENI  1941

Asdreni: Mir’se-erdhe pranë Mêmës vajzë-e dëshëruar, plot mall o bijë e shumëvojtur Çamëri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *